Pamela Aliaj – Në festivalin e Këngës Magjike këtë vit spikatën shumë zëra të rinj, të cilët mund të themi me plot gojë se ishin ‘magjia’ e vërtetë e këtij edicioni të 20-të. Një nga këto zëra ishte padyshim edhe Xhoi Kallaverja, bukuroshja nga Peshkopia, e cila arriti të ishte edhe në finalen duke konkurruar për “New Artist”. 

Në një intervistë për “Vip Pages” të “Gazeta Shqiptare”, Xhoi na rrëfen për prapaskenat dhe emocionet e kaluara në netët live në Pallatin e Kongreseve. Gjithashtu, këngëtarja ka folur edhe për pasionet e saj jashtë kuadrit të muzikës si dhe projektet e saj të radhës. Për më tepër në intervistën e mëposhtme.

Si nisi pasioni juaj për këngën?
Karriera ime zë fill që në fëmijërinë time që në moshën 6 vjeç ku kam marrë pjesë në kompeticionet e Festivaleve të Fëmijëve në vendin tim të lindjes Peshkopi/Dibër! Më pas kam qenë pjesë e Estradës të Peshkopisë deri 18-vjeç! Me ardhjen e studimeve në Tiranë nuk jam ndarë këtij pasioni për muzikën duke qenë pjesë e shumë ambienteve ku luhej muzikë live.
Cila ka qenë performanca që ju ka lënë më tepër mbresa brenda apo jashtë vendit?
Kam pas shumë gjëra të bukura në jetën time artistike, por do të veçoja edicionin e fundit të festivalit ‘Kënga Magjike’, ka qenë vërtet emocion i papërsëritshëm netët live të këtij kompeticioni me shoqërojnë akoma në këto momente që po flasim, ka qenë vërtet magji për mua që më kanë lënë mbresa shumë të bukura e që janë gjëra që vijnë rrallë në jetë dhe lënë gjurmë.

Pse zgjodhët pikërisht “Kënga Magjike 2018” për të konkurruar dhe jo një event tjetër muzikor?
Zgjodha ‘Këngën Magjike’, sepse gjithmonë kam ëndërruar të jem pjesë e një skene aq madhështore e kaq magjepsëse, siç është ‘Kënga Magjike’. Erdha më e pjekur artistikisht dhe aq më tepër në 20-vjetorin e saj.

Nga u frymëzuat për këngën “Aq sa më do”?
Për të ardhur deri në finalizimin e një produksioni muzikor janë shumë komponente si muzika teksti orkestracioni, kompozitori i kësaj kënga Gent Myftaraj mendoi se mua më rrinte mjaft mirë një gjë ëmbël që vjen natyrshëm në vesh të publikut, siç është “Aq sa me do” me poezi të Endrit Mumajesit.

Çfarë bën Xhoi jashtë kornizave të këngës në jetën e përditshme?
Përveç aktiviteteve të mia artistike, vazhdimësia e një dite të zakonshme për mua fillon me kafen e mëngjesit nën shoqërinë e njerëzve që më japin pozitivitet dhe kjo gjë është shumë e rëndësishme për mua për të pasur një ditë produktive, pastaj palester e takime pune. Më pëlqejnë shumë udhëtimet, të ngas makinën e të play-oj muzikën time të preferuar e pse jo dhe me volum të lartë.

Cili është profesioni që keni zgjedhur?
Paçka se unë kam mbaruar studimet për diplomaci, unë jetoj dhe punoj me muzikën. Besoj që tashmë kënga është kthyer në profesion për mua dhe mendoj me mbështetjen e publikut të vazhdoj gjatë kështu.

Cili është zhanri i këngës që identifikoheni më tepër përveç baladës?
Unë di të them që baladat flenë shumë te unë po kjo s’do të thotë që unë nuk i këndoj zhanre të tjera të muzikës duke filluar që nga ato ritmiket të muzikës së lehtë e të huaj duke vazhduar deri nga ato qytetare popullore.

Keni ndonjë personazh që ju i dedikoni zgjedhjes së kësaj rruge që besoi te ju?
Absolutisht që po! Familja zë një pjesë shumë të rëndësishme për mua dhe si e tillë e kam pasur dhe vazhdoj ta kem përkrahjen e tyre! Dua të veçoj një person shumë special në këtë rrugëtim të gjatë, mamin tim e cila më ka zbuluar talentin që e vogël dhe ka qenë mbështetja ime më e madhe dhe dua t’i them publikisht “Faleminderit! Ti je muza ime!”.

Ç’mendim keni për këngëtarët e rinj të sotëm si ju që mundohen të identifikohen në tregun e muzikës? Më shumë sipas jush vlerësohet imazhi apo talenti?
Di vetëm të them që ka prurje dhe talente në fushën e muzikës së lehtë. Këtë evidentoi mjaft mirë edicioni i ‘Këngës Magjike’ ku shihej dhe nuk vihej re kush ishte Bigu dhe kush ishte “New Artist”. Imazhi mendoj që është kontakti i parë me publikun si në çdo fushë të jetës, por kur të dyja ndërthuren bashkë si imazhi dhe talenti është akoma më mirë mund të them që je me fat, dhe unë mendoj se e kam këtë fat. (Qesh) Shaka kjo!

Çfarë vendi pretendonit me këngën tuaj tek “Kënga Magjike”?
Për mua ishte një arritje përderisa arrita në netët finale e të këndoja në një skenë me Big-ët e muzikës shqiptare aq më tepër në 20-vjetor të Këngës Magjike.

Cili është projekti juaj i radhës?
Për momentin do mbyllim festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri ku unë do jem e angazhuar si çdo vit. Projektet me të reja ristartojnë në fillimin e 2019 dhe shpresoj të sjell diçka ndryshe dhe më me ritëm.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here